Zhvillohet konsultimi publik mbi standartizimet dhe unifikimet e specifikimeve teknike të objektit të prokurimit “Blerje materiale kancelarie”.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara sh.a., në cilësinë e Organit Qendror Blerës, kryen veprimtarinë e tij në zbatim të VKM-së nr. 531 datë 07.09.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Përqendruara” sh.a për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë”.
Në kuadër të standartizimeve dhe unifikimeve të specifikimeve teknike të objektit të prokurimit: “Blerje materiale kancelarie”, OBP organizoi dhe zhvilloi konsultimin publik me operatorë ekonomik të interesuar në datë 31.05.2024.
Sesioni konsultues konsistoi në diskutime teknike mbi draf-katalogun e përgatitur, ku u morën në konsideratë sugjerimet konkrete, të cilat do të vihen në zbatim në përgatitjen e katalogut përfundimtar, me qëllim finalizimin e një materiali gjithëpërfshirës në ndihmë të të gjithë palëve të interesuara në zhvillimin e prokurimeve publike.
Kjo procedure hap siparin e një sërë konsultimesh që do të zhvillohen në vazhdimësi edhe për standartizimin dhe unifikimin e objekteve të tjera të prokurimeve.