OBP nënshkruan marrëveshje me Akademinë e së Drejtës Evropiane

Më 10 shtator 2026, Operatori i Blerjeve të Përqendruara nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e së Drejtës Evropiane (ERA), me fokus vlerësimin e nevojave për zhvillim profesional dhe trajnim të zyrtarëve të prokurimit të OBP-së.

Në kuadër të marrëveshjes, ERA do të mbështesë OBP-në në realizimin e një vlerësimi të strukturuar të nevojave për trajnim dhe zhvillim profesional të zyrtarëve të prokurimit. Ky proces do të shërbejë për identifikimin e fushave prioritare për ngritjen e kapaciteteve dhe për orientimin e programeve të ardhshme të trajnimit, në përputhje me zhvillimet e legjislacionit dhe praktikave evropiane të prokurimit publik.

Forcimi i kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të OBP-së do të zhvillohet në funksion të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të përafrimit të mëtejshëm të praktikave të prokurimit publik me standardet dhe kuadrin rregullator të Bashkimit Evropian.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu transformimit digjital të prokurimit publik, zhvillimit të infrastrukturës dhe zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale për procedurat e prokurimit, si dhe integrimit gjithnjë e më të ngushtë të Shqipërisë me tregun evropian të prokurimit publik.

Palët ranë dakord të eksplorojnë edhe mundësi të mëtejshme bashkëpunimi, ndërsa aktivitetet e ardhshme të trajnimit do të mund të zhvillohen si në format fizik në Trier ose Tiranë, ashtu edhe online, në varësi të nevojave që do të identifikohen përmes procesit të vlerësimit.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një hap konkret në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të OBP-së dhe në investimin e vazhdueshëm për zhvillimin profesional të ekspertëve të prokurimit, me synim rritjen e cilësisë, inovacionit dhe përafrimin e praktikave të prokurimit publik me standardet evropiane.