UNOPS dhe OBP bashkëpunim për modernizimin dhe forcimin e prokurimit të përqendruar në Shqipëri 

Tiranë, 8 shtator 2026-Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi që synon të modernizojë dhe të forcojë më tej mënyrën se si realizohen prokurimet publike në Shqipëri.

Marrëveshja parashikon zbatimin e një projekti gjashtëmujor të mbështetjes teknike, përmes të cilit ekspertiza ndërkombëtare e UNOPS do të vihet në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale të OBP-së, përmirësimit të mekanizmave të brendshëm dhe rritjes së performancës së proceseve të prokurimit.

Në fokus të bashkëpunimit do të jenë rritja e transparencës dhe efikasitetit, modernizimi i proceseve, forcimi i kapaciteteve të stafit dhe përafrimi i praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira.

Një komponent i rëndësishëm i këtij transformimi është edhe përdorimi më i gjerë i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në proceset e prokurimit publik.

Përmes teknologjisë, ekspertizës së specializuar dhe përmirësimit të proceseve, synohen procedura më të shpejta, më transparente dhe më efikase, reduktim i kostove dhe përdorim më i mirë i fondeve publike, në mënyrë që çdo para e shpenzuar të krijojë më shumë vlerë për qytetarët.

Ceremonia e nënshkrimit shënoi një hap të rëndësishëm në përpjekjet për modernizimin e prokurimit të përqendruar dhe forcimin e mëtejshëm të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.

Administratori i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara Z. Jonaid Myzyri theksoi se ky bashkëpunim i mundëson OBP-së të integrojë praktikat më të mira ndërkombëtare në sistemet e saj, duke modernizuar proceset dhe duke garantuar menaxhimin e fondeve publike sipas standardeve më të larta të integritetit, transparencës dhe llogaridhënies.

Në fjalën e saj Ministrja e Ekonomisë dhe Inovaciocionit, Znj. Delina Ibrahimaj tha se marrëveshja do të ndihmojë OBP-në të përmirësojë proceset, të rrisë kapacitetet dhe të përdorë më shumë teknologjinë, përfshirë Inteligjencën Artificiale. “Kjo do të thotë prokurime më të shpejta dhe më transparente, më pak kosto dhe përdorim më të mirë të fondeve publike-që çdo lek i shpenzuar të sjellë më shumë vlerë për qytetarët. Hapi i radhës është integrimi i Inteligjencës Artificiale në proceset e prokurimit publik, me synimin që kjo të bëhet realitet brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm.” theksoi Znj. Ibrahimaj.

“Prokurimi publik efektiv është thelbësor për institucione të forta dhe për të siguruar që burimet publike të ofrojnë shërbime cilësore për njerëzit”, tha Koordinatorja Rezidente e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald. “Përmes këtij partneriteti, UNOPS do të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare për të mbështetur Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në forcimin e kapacitetit dhe performancës institucionale, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm drejt prokurimit publik më efektiv, transparent dhe të përgjegjshëm, duke mbështetur ofrimin më të mirë të shërbimeve publike dhe përparimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.”

Sabine Kania, Drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri dhe Kosovë, u shpreh:
“Kjo marrëveshje shënon një moment të rëndësishëm në bashkëpunimin tonë me Operatorin e Blerjeve të Përqendruara. Duke bashkuar përvojën globale të UNOPS në menaxhimin e projekteve dhe prokurimin me vizionin strategjik të OBP-së, po hedhim bazat për procese prokurimi më transparente dhe efikase, të cilat në fund do t’u shërbejnë më mirë qytetarëve të Shqipërisë.”

Ky partneritet përfaqëson një tjetër hap drejt një sistemi prokurimi më modern, digjital, transparent dhe të orientuar drejt rezultateve, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së shërbimeve publike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me standardet evropiane.