Njoftim për vend të lirë pune (zëvëndësim leje lindje): Koordinator në Njësinë e Shqyrtimit të Ankesave

Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, VKM-së nr. 531 datë 07.09.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Perqëndruara” Sh.a për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë” si dhe në zbatim të VKM-së nr. 504 datë 10.09.2025 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 531 datë 07.09.2025”, Operatori i Blerjeve të Përqendruara shpall konkurimin për vend të lirë pune në pozicionin:

Koordinator në Njësinë e Shqyrtimit të Ankesave me kontratë pune me afat të caktuar, për zëvendësimin e punonjëses gjatë periudhës së lejes së lindjes, deri në rikthimin e saj në detyrë.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës për pozicionin si më sipër është:

Koordinatori i Njësisë së Shqyrtimit të Ankesave është përgjegjës për shqyrtimin, analizimin dhe përgatitjen e vendimmarrjeve lidhur me ankesat e paraqitura nga operatorët ekonomikë të interesuar gjatë fazave të ndryshme të procedurave të prokurimit publik që zhvillon Organi Qendror Blerës (OBP).

Detyrat kryesore të pozicionit të punës konsistojnë si më poshtë:

  • Të sigurojë që ankesat e prokurimeve publike të trajtohen me integritet dhe në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.
  • Përgatit analiza të hollësishme dhe raporte për ankesat e prokurimeve publike, duke prezantuar faktet dhe argumentet relevante për të drejtuar procesin e vendimmarrjes.
  • Merr vendime konstante në përputhje me ankesat e operatorëve ekonomik, për të cilat ngarkohet përmes caktimit në grupe pune.
  • Raporton dhe përgjigjet direkt tek titullari i institucionit;
  • Kryen cdo detyrë tjetër të ngarkuar nga titullari i institucionit.
  • Zbaton legjislacionin në fuqi për prokurimet publike dhe atë të procedurave administrative e gjyqësore;

KRITERE TË PËRGJITHSHME:

  • Të ketë integritet të lartë profesional dhe moral;
  • Të jetë shtetas shqiptar;
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë;
  • Të mos jetë në hetim dhe në proces gjykimi;

KRITERET E VEÇANTA QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI:

  • Të ketë mbaruar studimet universitare në Drejtësi ose Ekonomi;
  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor ose Master Profesional;
  • Të ketë të paktën 3 vite eksperiencë pune në fushën e prokurimeve publike;
  • Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
  • Të ketë aftësi të mira komunikuese dhe të bashkëpunimit në grup;
  • Të përdorë shumë mirë paketën Microsoft Office si dhe Web browser.

PARAQITJA E DOKUMENTEVE:

Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin përmes postës brenda datës 02.07.2026 në Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në adresën: Rruga “Reshit Çollaku”, Godina Nr 6/337,(në krah të Gjykatës së Lartë), këto dokumenta:

  • Kërkesë për aplikim ku të shprehet qartë pozicioni për të cilin aplikohet;
  • Jetëshkrimi i përditësuar, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike,etj. ( CV )
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës;
  • Fotokopje të librezës së punës ose dokument i ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
  • Fotokopje të dëshmive të gjuhëve të huaja (nëse ka) ;
  • Vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
  • Vërtetimin e aftësisë për punë.

Dokumentacioni do të administrohet në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.