Forum
Hapësirë informimi për aplikimin në procedurat e OBP
Në këtë hapësirë do të gjeni për pyetjet e çdo të interesuari, të cilat lidhen me procedurat që zhvillon OBP, përgatitjen për pjesëmarrje në tendera, shmangien e gabimeve më të zakonshme gjatë aplikimit. Për interpretimin e ligjit dhe akteve nënligjore, ju lutemi referojuni institucionit kompetent, APP. OBP jep informacion praktik dhe administrativ vetëm për proceset që zhvillon ose administron vetë.
Pyetje:
Shuma e vlerave të minikontratave të lidhura mbi bazën e një Marrëveshjeje Kuadër duhet të jetë e barabartë me vlerën e ofertuar nga OE apo me vlerën e fondit limit mbi të cilën është zhvilluar procedura?
Faleminderit për pyetjen,
Në zbatim të ligjit nr. 162/2020, datë 23.12.2020, "Për prokurimin publik", të ndryshuar, dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021, të ndryshuar, shuma e vlerave të kontratave të lidhura në zbatim të një Marrëveshjeje Kuadër nuk duhet të jetë domosdoshmërisht e barabartë as me vlerën e ofertuar nga operatori ekonomik dhe as me fondin limit/vlerën maksimale të parashikuar të procedurës.
Sipas nenit 34 të LPP-së dhe nenit 62, pika 4, të VKM nr. 285, vlera e parashikuar e Marrëveshjes Kuadër përfshin shumën e përllogaritur të të gjitha vlerave të kontratave që parashikohen të jepen gjatë kohëzgjatjes së saj. Kjo vlerë përbën kufirin maksimal të parashikuar për kontratat që mund të lidhen, por nuk krijon detyrim për autoritetin kontraktor që të realizojë të gjithë këtë vlerë. Në fakt, VKM nr. 285 parashikon shprehimisht se autoriteti/enti kontraktor nuk është i detyruar të prokurojë një sasi të caktuar të mallrave, shërbimeve apo punëve të përfshira në Marrëveshjen Kuadër.
Për rrjedhojë, vlera totale e minikontratave përcaktohet në bazë të nevojave konkrete të autoritetit kontraktor dhe brenda kufijve dhe kushteve të përcaktuara në Marrëveshjen Kuadër, pa qenë e detyrueshme që në përfundim të jetë e barabartë me fondin limit apo me vlerën e ofertuar.
Pyetje:
Autoriteti kontraktor ka nxjerrë vlerësimin e tenderit dhe më ka skualifikuar si OE. Kur mund të bëj ankimin?
Faleminderit për pyetjen,
Në rastin kur autoriteti kontraktor ka përfunduar vlerësimin e ofertave dhe operatori ekonomik është skualifikuar, ankimi ndaj vendimit të vlerësimit paraqitet pas publikimit të njoftimit të fituesit, pasi nga ky moment fillon të llogaritet afati ligjor i ankimit.
Sipas nenit 97, pika 2, të VKM nr. 285, datë 19.05.2021, të ndryshuar, operatorët ekonomikë mund të ankohen pranë autoritetit/entit kontraktor brenda 10 ditëve nga publikimi i njoftimit të fituesit, në rastin e procedurave mbi kufirin e lartë monetar, dhe brenda 7 ditëve, në rastin e procedurave nën kufirin e lartë monetar. Pra, fakti që operatori ekonomik është skualifikuar në fazën e vlerësimit nuk e humbet të drejtën e ankimit; kjo e drejtë ushtrohet brenda afateve të mësipërme, të llogaritura nga publikimi i njoftimit të fituesit.
Në përfundim të shqyrtimit, autoriteti kontraktor mund ta pranojë plotësisht, pranojë pjesërisht ose refuzojë ankesën.Kundër vendimit të autoritetit kontraktor, operatori ekonomik i interesuar mund të vijojë ankimin pranë Komisionit të Prokurimit Publik, sipas afateve të përcaktuara në LPP.
Pyetje:
Lejohet apo jo mbeshtetja ne kapacitetet financiare apo teknike tek subjetet e tjera jo Shqiptare (psh Kosovare apo Maqedonas), per pjesmarrje ne nje procedure te hapur mbi kufirin e larte monetar INT,Marrveshje KUADER ne fushen e barnave apo pajijseve mjekesore. Nese ligji e njeh, cfare kriteresh duhet te permbush subjekti mbeshtetes. Ne cilat raste DST nuk e lejon kete?
Faleminderit për pyetjen,
Po, mbështetja në kapacitetet e subjekteve të tjera, përfshirë edhe subjekte të huaja (p.sh. nga Kosova, Maqedonia e Veriut apo vende të tjera), lejohet nga legjislacioni për prokurimin publik, për sa kohë respektohen kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 162/2020 "Për Prokurimin Publik", i ndryshuar, si dhe në aktet nënligjore përkatëse.
1. Parimi bazëOperatori ekonomik ka të drejtë të mbështetet në kapacitetet:
- financiare/ekonomike dhe/ose
- teknike/profesionale
të subjekteve të tjera, pavarësisht natyrës së lidhjes juridike me to dhe pavarësisht shtetësisë së tyre.
2. Kushtet që duhet të përmbushë subjekti mbështetësSubjekti në kapacitetet e të cilit mbështetet operatori duhet:
- Të mos jetë në kushtet e përjashtimit sipas ligjit (dënime penale, detyrime tatimore të papaguara, etj.)
- Të mos jetë vetë ofertues në të njëjtën procedurë prokurimi
- Të mos mbështesë më shumë se një ofertues në të njëjtën procedurë (për të shmangur konfliktin e interesit dhe shtrembërimin e konkurrencës)
- Mbështetja mund të kufizohet (p.sh. deri në një përqindje të caktuar, si 50% e kriterit), nëse kjo është e parashikuar në DST
- Të përmbushë kriteret përkatëse për të cilat jep mbështetje (financiare ose teknike), në përputhje me kërkesat e DST
- Të paraqesë një angazhim të qartë dhe të provueshëm (deklaratë ose kontratë bashkëpunimi), që garanton se kapacitetet do të jenë realisht në dispozicion gjatë zbatimit të kontratës
- Në rast të mbështetjes në kapacitete teknike/profesionale, zakonisht kërkohet që subjekti mbështetës të marrë pjesë drejtpërdrejt në ekzekutimin e kontratës
(Shembull, për barnat, vijojnë kritere, kërkesa dhe kufizime të tjera më specifike që burojnë nga legjislacioni në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë për importimin, shpërndarjen dhe tregtimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore; këto kërkesa duhet të përmbushen realisht nga subjekti mbështetës, përfshirë disponimin e licencave përkatëse, autorizimeve, standardeve GDP, si dhe infrastrukturës së nevojshme (p.sh. seli/depo në Shqipëri), në mënyrë që të garantohet zbatimi i kontratës në praktikë dhe jo vetëm në letër)
3. Specifika për marrëveshjet kuadër (barnat/pajisjet mjekësore)Në këto procedura, për shkak të ndjeshmërisë së sektorit, mund të kërkohet:
- përmbushja e kritereve të autorizimit/licencimit (p.sh. autorizim për tregtim barnash, regjistrim pranë AKBPM, etj.)
- garanci për zinxhirin e furnizimit dhe gjurmueshmërinë
- përputhje me standarde specifike teknike dhe cilësore
Në këto raste, mbështetja nuk mund të përdoret për të anashkaluar detyrime që ligji kërkon t'i përmbushë vetë ofertuesi, sidomos kur lidhen me autorizime ligjore për ushtrimin e aktivitetit.
4. Kur DST mund të mos e lejojë mbështetjen?Dokumentet Standarde të Tenderit (DST) mund të kufizojnë ose përjashtojnë mbështetjen në raste kur:
- kërkohen licenca/autorizime që duhet të jenë në emër të vetë ofertuesit
- natyra e kontratës kërkon përgjegjësi direkte dhe të pandarë (p.sh. shpërndarja e barnave)
- kërkohen kapacitete që nuk janë të transferueshme realisht (p.sh. autorizime specifike ligjore)
- për arsye të sigurisë, cilësisë ose shëndetit publik, autoriteti kontraktor e justifikon kufizimin në DST
Mbështetja në kapacitetet e subjekteve të huaja është e lejuar dhe e zakonshme në procedurat mbi kufirin e lartë monetar, përfshirë marrëveshjet kuadër, por:
- duhet të jetë reale dhe e provueshme
- nuk duhet të përdoret për të shmangur kërkesat ligjore thelbësore
- dhe është subjekt i kufizimeve të arsyetuara në DST, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si shëndetësia
Pyetje:
Ne rastin e ankesave per vleresim, afati i ankimit nis diten kur shpallet paraprakisht fituesi apo te nesermen? Shembull: OE u shpall fitues ne daten 05.03.2026. Afati eshte 7 dite sipas procedures. Afati i ankimimit mbaron me date 11.03.2026 apo me 12.03.2026?
Faleminderit për pyetjen,
Në rastin e ankesave për vlerësimin e ofertave nga KVO, afati i ankimit fillon nga momenti i publikimit në sistem të njoftimit të fituesit paraprak. Megjithatë, sipas rregullave të përgjithshme të llogaritjes së afateve procedurale, dita e publikimit nuk përfshihet në numërim, por numërimi i ditëve fillon nga dita pasardhëse.
Në shembullin e dhënë, nëse njoftimi i fituesit paraprak është publikuar në datën 05.03.2026 dhe afati i ankimit është 7 ditë, numërimi fillon nga data 06.03.2026 dhe afati i fundit për paraqitjen e ankesës është data 12.03.2026.
Pyetje:
Autoriteti kontraktor ka parashikuar ne miratimin e buxhetit ne dhjetor 2025 nje fond per te zhvilluar nje procedure prokurimi ,marreveshje kuader me afat 12 muaj, por ne janar ka hyre ne fuqi rritja e pages baze minimale. Ne keto kushte fondi i perllogaritur per realizimin e marreveshjes kuader nuk mjafton per 12 muaj. Pyetja eshte qe AK a mund te filloje proceduren e prokurimit marreveshje kuader pa patur gjithe fondin ne dispozicion e me vone te realokoje fonde shtese perpara lidhjes se kontrates meqe marreveshja kuader nuk eshte kontrate apo duhet te zhvilloje nje procedure normale prokurimi me afat po themi 10 mujor rritja e paga baze?
Faleminderit për pyetjen,
Me sa kuptuam çështja e ngritur lidhet me situatën kur, pas miratimit të fondit për zhvillimin e një marrëveshjeje kuadër 12-mujore, ndërhyn një ndryshim normativ (rritja e pagës minimale), i cili ndikon drejtpërdrejt në koston e realizimit të saj, duke e bërë fondin e miratuar të pamjaftueshëm.
Në analizë juridike, duhen konsideruar këto elemente:
1. Mbi detyrimin për përllogaritje reale të fondit limit
Në zbatim të Ligjit nr. 162/2020 "Për Prokurimin Publik" i ndryshuar dhe Rregullave të Prokurimit Publik e ndryshuar, fondi limit duhet:
- të përllogaritet në mënyrë të saktë dhe të arsyetuar;
- të bazohet në analiza reale tregu;
- të reflektojë kushtet ekonomike aktuale në momentin e nisjes së procedurës.
Nëse në momentin e shpalljes së procedurës autoriteti kontraktor ka dijeni objektive që fondi i miratuar nuk mbulon realisht periudhën 12-mujore, atëherë fondi duhet të rillogaritet përpara nisjes së procedurës.
Shpallja e një procedure me fond që dihet paraprakisht se është i pamjaftueshëm bie ndesh me parimet e:
- planifikimit korrekt;
- proporcionalitetit;
- përdorimit me efektivitet të fondeve publike.
2. Mbi natyrën juridike të marrëveshjes kuadër
Edhe pse marrëveshja kuadër nuk është kontratë ekzekutive në vetvete, ajo:
- përcakton vlerën e pritshme maksimale;
- përfaqëson angazhim potencial financiar;
- krijon pritshmëri të ligjshme për operatorët ekonomikë.
Për rrjedhojë, edhe në rastin e marrëveshjes kuadër, vlera e shpallur duhet të mbështetet në mbulim real buxhetor.
Disiplina financiare nuk lejon marrjen e angazhimeve publike mbi fonde që dihen se nuk janë të mjaftueshme.
3. Mbi mundësinë e realokimit të mëvonshëm
Realokimi i fondeve është i lejueshëm, por ai duhet të kryhet përpara nisjes së procedurës dhe fondi limit të përditësohet përpara publikimit të njoftimit të kontratës.
Nuk është praktikë juridikisht e qëndrueshme nisja e procedurës me fond të pamjaftueshëm me supozimin se fondet do të shtohen më vonë.
4. Alternativat e ligjshme
Në kushtet e mospasjes së fondit të plotë për 12 muaj, autoriteti kontraktor mund:
- të kryejë rillogaritje dhe të sigurojë realokim fondesh përpara nisjes së procedurës, ose
- të zhvillojë procedurë për periudhë që mbulohet realisht financiarisht, duke shmangur ndarjen artificiale të nevojës.
Autoriteti kontraktor nuk duhet të nisë marrëveshje kuadër 12-mujore kur në momentin e shpalljes ka dijeni objektive për mungesë mbulimi financiar për vlerën e saj të plotë.
Zgjidhja juridikisht e sigurt është rillogaritja e fondit sipas kushteve të reja ekonomike dhe sigurimi i mbulimit financiar paraprak përpara nisjes së procedurës.
Pyetje:
A është analizuar ndikimi i prokurimeve të përqendruara në pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të vegjël dhe të mesëm?
Po. Ndikimi i prokurimeve të përqendruara në pjesëmarrjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) është një element që merret në konsideratë gjatë hartimit të procedurave nga OBP.
Në praktikë, aplikohen disa mekanizma për të mos kufizuar pjesëmarrjen e NVM-ve:
- Ndarja në lote, sa herë që natyra e objektit e lejon, për të shmangur përqendrimin e gjithë vlerës në një kontratë të vetme.
- Specifikime teknike funksionale dhe proporcionale, që nuk vendosin barriera të panevojshme hyrëse.
- Kriteret e kualifikimit të balancuara, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, duke shmangur kërkesa financiare apo teknike të tepruara.
- Marrëveshje kuadër me operatorë të shumtë, kur është e mundur, për të rritur mundësinë e aksesit.
Përqendrimi i prokurimeve ka për qëllim:
- standardizim dhe eficiencë,
- ulje kostosh për buxhetin publik,
- rritje transparence.
Por ai nuk synon përjashtimin e operatorëve të vegjël. Përkundrazi, strukturimi i duhur i procedurës synon të krijojë një treg më të organizuar dhe konkurrues.
Në analizën praktike, pjesëmarrja e NVM-ve është reale në një sërë procedurash të përqendruara, çka tregon se përqendrimi nuk është sinonim i përjashtimit, por kërkon balancim të kujdesshëm procedural.
Pyetje:
Ankesa duhet kryer pas publikimit te renditjes se dyte apo pas shpalljes se njoftimit paraprak per here te dyte te OE YY? Apo AK vijon me njoftim fituesi perfundimtar duke qene se eshte konsumuar njoftimi i fituesit paraprak dhe OE XX duhet te ankohet pas njoftimit perfundimtar? Faleminderit!
Afati i ankimit fillon menjëherë pas publikimit të Njoftimit të Fituesit Paraprak.
Sa i përket objektit të ankimit në këtë fazë:
- Nuk mund të ngrihen pretendime që janë ezauruar dhe janë trajtuar në fazën e parë të ankimit;
- Pretendimet mund të lidhen vetëm me elementet që burojnë nga rivlerësimi dhe me vendimmarrjen e re të autoritetit kontraktor.
Publikimi i drejtpërdrejtë i Njoftimit të Fituesit Përfundimtar nuk do të ishte procedurialisht korrekt, pasi do të cenonte të drejtën e ankimit mbi rezultatin e ri të krijuar nga rivlerësimi.
Pra:
- Rivlerësim pas vendimit të KPP
- Publikim i Njoftimit të Fituesit Paraprak
- Hapje e afatit të ankimit
Pyetje:
OE XX ka paraqitur oferten e tij ne nje procedure p.p te hapur. AK e refuzon oferten dhe e skualifikon me arsyen qe cert. e deklaruara nuk plotesojne kriteret. AK shpall fitues OE YY. OE XX ushtron ankim brenda afatit dhe KPP vendos ta pranoje ankesen me arg se kriteri plotesohet permes F. te Vetedeklarimit. Rivleresohet procedura dhe OE XX therritet sipas nenit 26 te VKM per te paraqitur dok. fizik. Pas paraqitjes se dok. fizik, AK procedon me vleresimin dhe konkludon qe certifikatat e paraqitura nuk plotesojne kriterin. Pas ketij momenti, AK vijon me njoftim fituesi perf. apo paraprak?
Faleminderit për pyetjen!
Në rastin konkret, duke qenë se rezultati i procedurës ka ndryshuar si rrjedhojë e vendimit të KPP dhe gjatë procesit të rivlerësimit është arritur në një konkluzion të ri për kualifikimin/skualifikimin e operatorëve, autoriteti kontraktor duhet të vijojë me:
Publikimin e Njoftimit të Fituesit Paraprak, mbi bazën e rezultatit të ri të vlerësimit.
Arsyeja është e qartë: rivlerësimi përbën një fazë të re vendimmarrjeje mbi rezultatet e procedurës, ndaj duhet të rikthehet cikli procedural i njoftimit paraprak dhe i së drejtës së ankimit.
Afati i ankimit fillon menjëherë pas publikimit të Njoftimit të Fituesit Paraprak.
Sa i përket objektit të ankimit në këtë fazë:
- Nuk mund të ngrihen pretendime që janë ezauruar dhe janë trajtuar në fazën e parë të ankimit;
- Pretendimet mund të lidhen vetëm me elementet që burojnë nga rivlerësimi dhe me vendimmarrjen e re të autoritetit kontraktor.
Publikimi i drejtpërdrejtë i Njoftimit të Fituesit Përfundimtar nuk do të ishte procedurialisht korrekt, pasi do të cenonte të drejtën e ankimit mbi rezultatin e ri të krijuar nga rivlerësimi.
Pra:
- Rivlerësim pas vendimit të KPP
- Publikim i Njoftimit të Fituesit Paraprak
- Hapje e afatit të ankimit
- Më pas, në mungesë ankese ose pas ezaurimit të saj, publikimi i Njoftimit të Fituesit Përfundimtar
Kjo ruan koherencën procedurale dhe garanton të drejtën efektive të ankimit.
Pyetje:
Meqenëse jeni shprehur se masat merren vetëm në rastet kur provohet shkelje e rëndë, e qëllimshme ose e përsëritur, a ka ndonjë rast të tillë që ka ndodhur brenda OBP?
Në funksionimin e OBP, çdo procedurë dokumentohet dhe është e auditueshme.
Deri më sot, nuk ka pasur raste të provuara të shkeljeve të rënda, të qëllimshme apo të përsëritura, që të kenë rezultuar në masa disiplinore të këtij niveli.
Është e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë:
- Ndryshimi i interpretimit ligjor midis institucioneve;
- Vendime të organeve të ankimit që mund të rrëzojnë një procedurë;
- apo gabime administrative të korrigjueshme, nuk përbëjnë automatikisht shkelje të rëndë apo të qëllimshme.
Çdo rast i evidentuar trajtohet sipas procedurave të brendshme dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Nëse do të konstatohej një shkelje e tillë, masat do të merren pa hezitim dhe në përputhje me ligjin.
OBP funksionon mbi bazën e parimit të përgjegjshmërisë dhe transparencës, jo mbi perceptime, por mbi fakte të provuara.
Pyetje:
Si garantohet ndarja e qartë e kompetencave ndërmjet OBP-së dhe autoriteteve kontraktore përfituese, për të shmangur mbivendosjen e përgjegjësive?
Ndarja e kompetencave është e përcaktuar në Ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar dhe në aktet përkatëse që rregullojnë funksionimin e OBP si organ qendror blerës.
Kjo ndarje garantohet përmes një strukture të qartë funksionale:
Autoritetet kontraktore / përfituese:
- përcaktojnë nevojën konkrete,
- hartojnë specifikimet teknike,
- argumentojnë fondin limit,
- monitorojnë zbatimin e kontratës dhe realizojnë pagesat.
OBP:
- strukturon dhe zhvillon procedurën e prokurimit,
- harton dokumentet standarde të tenderit (pjesa procedurale dhe ligjore),
- garanton ligjshmërinë, transparencën dhe konkurrencën gjatë procedurës,
- përzgjedh operatorin ekonomik sipas rregullave ligjore.
Për të shmangur mbivendosjen:
- çdo procedurë shoqërohet me dokumentim të qartë të roleve dhe përgjegjësive;
- komunikimi dhe shkresat zyrtare fiksojnë përgjegjësinë për çdo element teknik apo ekonomik;
- kontrolli ligjor i OBP kufizohet në përputhshmërinë me ligjin, jo në zëvendësimin e autoritetit përfitues në përgjegjësitë e tij.
Pra, përgjegjësitë janë të ndara qartë:
Autoriteti përfitues përcakton “çfarë” dhe mbikëqyr zbatimin;
OBP garanton “si” zhvillohet procedura, në përputhje me ligjin.
Pyetje:
Si trajtohen rastet kur një autoritet përfitues ka nevoja specifike që nuk përputhen plotësisht me specifikimet standarde të hartuara nga OBP?
Në rastet kur një autoritet përfitues ka nevoja specifike që dalin jashtë specifikimeve standarde të publikuara nga OBP, ndiqet kjo procedurë:
Autoriteti Kontraktor harton specifikimet teknike përkatëse, të përshtatura me nevojën konkrete dhe i argumenton ato teknikisht.
Specifikimet i përcillen OBP për rishikim teknik dhe ligjor, me qëllim:
- verifikimin e përputhshmërisë me ligjin,
- shmangien e kufizimit të konkurrencës,
- garantimin e parimit të proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit.
Pas këtij rishikimi dhe, kur është e nevojshme, pas korrigjimeve përkatëse, publikohet procedura e prokurimit.
Pra, fleksibiliteti ekziston, por ai ushtrohet brenda kornizës ligjore dhe me kontroll profesional, në mënyrë që nevoja specifike të mos kthehet në kufizim të konkurrencës apo risk ligjor për procedurën.
Pyetje:
Në çfarë mase përfshihen autoritetet përfituese në fazën e hartimit të dokumenteve standarde të tenderit?
Përfshirja e autoriteteve përfituese është thelbësore në fazën paraprake të procedurës.
Konkretisht:
Autoritetet kontraktore / përfituese:
- hartojnë specifikimet teknike,
- përllogarisin dhe argumentojnë fondin limit,
- si dhe marrin për referencë katalogun e publikuar nga OBP, për mallrat dhe shërbimet e përqendruara kur janë të publikuar dhe të hartuar.
Njësia e prokurimit në OBP:
- harton pjesën tjetër të Dokumenteve Standarde të Tenderit (DST),
- përgatit kriteret e kualifikimit (në përputhje me ligjin),
- përfshin termat kontraktorë dhe strukturën procedurale,
- dhe garanton përputhshmërinë ligjore të dokumentacionit.
Pra, ndarja e rolit është e qartë:
Autoriteti përfitues përcakton nevojën teknike dhe bazën ekonomike. OBP strukturon dhe menaxhon dokumentacionin procedural në përputhje me ligjin.
Ky bashkëpunim siguron që procedura të jetë njëkohësisht teknikisht e saktë dhe ligjërisht e rregullt.
Pyetje:
Çfarë metodologjie përdoret për hartimin e specifikimeve teknike, në mënyrë që të mos kufizohet konkurrenca dhe të respektohet parimi i mosdiskriminimit?
Hartimi i specifikimeve teknike bëhet mbi bazën e parimeve të Ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” i ndryshuar:
- barazi,
- mosdiskriminim,
- konkurrencë efektive,
- dhe transparencë.
Në praktikë, metodologjia bazohet në disa hapa të qartë:
Studim i dokumentuar i tregut, për të identifikuar alternativat teknologjike dhe operatorët ekonomikë që operojnë në fushën përkatëse.
OBP funksionon me konsultim publik të hapur dhe të dokumentuar, ku ftohen të gjithë operatorët ekonomikë të interesuar për të dhënë komente mbi draft-specifikimet teknike.
Hartim i specifikimeve mbi bazë funksionale dhe performancë, duke shmangur referenca ndaj markave, modeleve apo prodhuesve të veçantë (përveç rasteve të justifikuara ligjërisht, me formulimin “ose ekuivalente”).
Verifikim juridik dhe teknik përpara shpalljes së procedurës, për të garantuar që kërkesat janë proporcionale dhe të lidhura drejtpërdrejt me objektin e prokurimit.
Në rastin e OBP, kur hartohen specifikimet teknike, metodologjia e studimit të tregut është publikuar dhe bazohet në: analizë të tregut aktual, konsultime të hapura me operatorët ekonomikë të fushës, dhe dokumentim të plotë të çdo komenti apo sugjerimi të marrë.
Qëllimi është që specifikimet:
- të mos çojnë në favorizim të një operatori apo marke,
- të jenë teknikisht të sakta,
- dhe të krijojnë terren për konkurrencë reale dhe të barabartë.
Në këtë mënyrë, garantohet respektimi i parimit të mosdiskriminimit dhe ligjshmëria e procedurës.
Pyetje:
Si trajtohen procedurat e përqendruara për mallra/shërbime që kanë ndryshime të shpeshta teknologjike?
Mallrat dhe shërbimet me zhvillim të shpejtë teknologjik kërkojnë një qasje më fleksibël se procedurat tradicionale.
Në këto raste, përdoren zakonisht këto mekanizma:
- Specifikime teknike funksionale, jo të lidhura me markë apo model konkret, por me performancë dhe parametra të matshëm.
- Marrëveshje kuadër me afat të kufizuar, për të shmangur “ngrirjen” teknologjike për periudha të gjata.
- Azhurnim periodik i katalogëve të standardizimit, kur konstatohet ndryshim i ndjeshëm teknologjik apo çmimor në treg.
- Ndarje në lote, për të lejuar pjesëmarrjen e teknologjive alternative.
- Në raste specifike, përdorimi i dialogut konkurrues ose formave më dinamike të prokurimit, kur objekti kërkon përshtatje teknologjike.
Qëllimi është që:
- të garantohet konkurrencë reale,
- të shmanget favorizimi i teknologjive të vjetruara,
- dhe të sigurohet që institucionet përfitojnë zgjidhje aktuale dhe në përputhje me zhvillimin e tregut.
Pra, përqendrimi i prokurimeve nuk do të thotë rigiditet; përkundrazi, kërkon monitorim më të vazhdueshëm të tregut dhe instrumente më fleksibël proceduralë.
Pyetje:
Çfarë mekanizmash përdoren për të përcaktuar fondin limit në kushtet e luhatjeve të tregut dhe inflacionit?
Përcaktimi i fondit limit nuk bëhet në mënyrë formale apo të pandryshueshme, por mbi bazën e një analize të azhurnuar të tregut.
Në përgjithësi përdoren këto mekanizma:
- Monitorim periodik i tregut, për të evidentuar rritje apo ulje çmimesh;
- Studim tregu dhe kërkesë informacioni nga operatorët ekonomikë;
- Analizë e kontratave të mëparshme dhe çmimeve referuese;
- Referencë ndaj indekseve të inflacionit dhe faktorëve ekonomikë (valuta, kosto transporti, importe, etj.);
- Azhurnim i katalogëve ose referencave të çmimeve, kur konstatohet ndryshim i qëndrueshëm i tregut.
Qëllimi është që fondi limit të jetë:
- realist në raport me tregun,
- i mjaftueshëm për të garantuar konkurrencë,
- dhe njëkohësisht mbrojtës për buxhetin publik.
Në kushtet e luhatjeve ekonomike, analiza e tregut dhe dokumentimi i saj janë elementë thelbësorë për të shmangur procedura të dështuara apo mbivlerësime të pajustifikuara.
Pyetje:
Kush mban përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të kontratës: OBP apo autoriteti përfitues?
Sipas Ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar:
Neni 124 përcakton se, pas përfundimit të procedurës dhe lidhjes së kontratës:
- monitorimi i zbatimit të kontratës,
- ndjekja e realizimit të furnizimit/shërbimit,
- kontrolli i cilësisë dhe përputhshmërisë me specifikimet teknike,
- si dhe procesimi i pagesave,
janë përgjegjësi e Autoritetit Përfitues / Autoritetit Kontraktor, i cili është palë në kontratë.
Neni 125, pika 1 parashikon detyrimin për raportim pranë Agjencia e Prokurimit Publik mbi zbatimin e kontratave.
Roli i OBP përfundon në fazën e zhvillimit të procedurës dhe përzgjedhjes së operatorit ekonomik, sipas kornizës ligjore në fuqi.
Ndërkohë, monitorimi sistemik dhe mbikëqyrja e raportimeve ushtrohet nga APP, në përputhje me kompetencat ligjore të saj.
Pra, ndarja e përgjegjësive është e qartë:
- OBP zhvillon procedurën;
- Autoriteti përfitues zbaton dhe monitoron kontratën;
- APP mbikëqyr raportimin dhe sistemin në nivel kombëtar.
Pyetje:
Ne shume raste, KPP ka rrezuar vleresimet e bera nga ana e KVO te OBP, ku bie shpesh ne pah qe vleresimi eshte bere ne kundershtim me rregullat e LPP, cilat jane masat qe merren ndaj antareve te KVO dhe KSHA qe bejne nje vleresim ne kundershtim me ligjin?
Një sqarim i nevojshëm për një debat të shëndetshëm institucional.
Vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik kanë rol thelbësor në kontrollin e ligjshmërisë së procedurave të prokurimit, por si çdo organ administrativ, nuk përbëjnë burim absolut të së drejtës. Vetë sistemi ligjor e parashikon këtë, vendimet e KPP janë akte administrative të kontrollueshme, të ankueshme dhe të rishikueshme, përfshirë nga gjykatat administrative.
Për këtë arsye:
- rrëzimi ose ndryshimi i një vlerësimi nga KPP nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet automatikisht si shkelje ligjore nga ana e KVO apo KSHA;
- aq më tepër si bazë për masa personale ndaj anëtarëve të komisioneve.
KPP:
- korrigjon procedura,
- interpreton norma,
- por nuk zëvendëson përgjegjësinë profesionale dhe juridike të autoriteteve kontraktore.
Vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik nuk janë urdhra ndëshkimi dhe nuk prodhojnë automatikisht përgjegjësi personale për anëtarët e KVO apo KSHA.
Nëse do të ishte kështu, atëherë çdo vendim i rrëzuar do të kërkonte:
- hetim,
- sanksion,
- ndëshkim individual.
Ç’ka, nuk ekziston në asnjë sistem serioz prokurimi në BE.
KPP:
- kontrollon procedurën,
- nuk gjykon individë,
- nuk ndëshkon komisione.
Masat ndaj anëtarëve të KVO ose KSHA merren vetëm kur provohet shkelje e rëndë, e qëllimshme ose e përsëritur, dhe jo sepse një vlerësim administrativ u interpretua ndryshe nga një organ tjetër administrativ.
Me fjalë të thjeshta:
- Rrëzimi i një vendimi ≠ shkelje ligji
- Interpretim ndryshe ≠ faj personal
- Korrigjim procedure ≠ ndëshkim njerëzish
Ndaj, ideja se çdo vendim i rrëzuar duhet të shoqërohet me “masa” ndaj komisioneve është:
- ose mosnjohje e sistemit të prokurimit publik,
- ose tentativë për presion institucional ndaj profesionistëve.
Në Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ndryshe nga narrativa forumesh:
- procedurat rishikohen,
- dokumentet përmirësohen,
- ligji respektohet.
Jo gjueti shtrigash.
Jo drama.
Thjesht institucion i së drejtës që funksionon.
Pyetje:
Po nëse ka shumë ofertues, por fiton ai që ka paraqitur ofertën më të lartë financiarisht, cilat janë arsyet që nuk fiton oferta më e ulët? Për ta përmbledhur, cilat janë pak a shumë kriteret e vlerësimit në një procedurë prokurimi dhe si arrin OBP të kursejë para për buxhetin e shtetit në procedurat e prokurimit? Faleminderit.
Në rastet kur ka disa ofertues, nuk është e vërtetë që gjithmonë fiton oferta me çmimin më të ulët.
Ligji parashikon qartë se në shumë procedura aplikohet parimi i ofertës ekonomikisht më të favorshme, ku çmimi është vetëm një nga elementët. Me pikëzim mund të fitojë një operator që jo domosdoshmërisht ka çmimin më të ulët, por që ka më shumë kapacitet teknik, përmbush më mirë kriteret sociale apo mjedisore, etj. Pra, vlerësohen disa komponentë në një garë prokurimi me këtë mënyrë vlerësimi.
Po ashtu, oferta me çmimin më të ulët mund të mos fitojë nëse:
- mungojnë dokumente ligjore ose financiare;
- mungon sigurimi i ofertës;
- mungon autorizimi i prodhuesit;
- nuk përmbushen specifikimet teknike;
- nuk plotësohen kërkesat e cilësisë dhe sigurisë, veçanërisht në shëndetësi.
Pra, një çmim i ulët pa dokumentacion dhe pa garanci nuk është ofertë e vlefshme.
Në përmbledhje, kriteret e vlerësimit në një procedurë prokurimi ndahen në tre shtylla kryesore:
- Ligjore dhe formale – regjistrimi, formularët deklarativë, sigurimi i ofertës, mungesa e konflikteve të interesit, etj.;
- Teknike – përputhja me specifikimet, autorizimet e prodhuesit, certifikimet e cilësisë, kompatibiliteti, kontrata të ngjashme, etj.;
- Ekonomike – çmimi, raporti kosto–cilësi, jetëgjatësia dhe eficienca e produktit ose shërbimit, bilancet, xhiroja vjetore, etj.
Vetëm ofertat që kalojnë të gjitha këto faza konkurrojnë realisht për fitore.
Sa i përket kursimeve, OBP arrin të kursejë para për buxhetin e shtetit përmes mekanizmave konkretë:
- centralizimit të blerjeve, që rrit volumet dhe ul çmimet;
- rritjes së konkurrencës aty ku tregu e lejon;
- standardizimit të specifikimeve teknike përmes katalogëve, duke shmangur favorizimet dhe improvizimet;
- transparencës së plotë dhe njoftimeve automatike për operatorët ekonomikë për çdo garë që hidhet në sistem, çka rrit pjesëmarrjen në gara nga OE-të.
Rezultati është:
- oferta nën fondin limit në shumicën e procedurave, kryesisht për punët publike;
- çmime brenda tavaneve ligjore për produkte të rregulluara;
- ulje e kostove afatgjata për shtetin, pa cenuar cilësinë.
Konkluzioni është i qartë:
Një ofertues i vetëm nuk përbën shkelje ligji, çmimi më i ulët nuk fiton automatikisht dhe prokurimi i mirë është ai që balancon ligjshmërinë, cilësinë dhe eficiencën financiare. Ky është modeli që ndjek OBP.
Pyetje:
Përshëndetje. Kam disa pyetje, marrë shkas edhe nga disa raportime në media për procedurat e OBP-së. Pyetja e parë: Pse ndodh që një procedurë prokurimi të ketë vetëm një ofertues dhe a cilësohet procedurë e rregullt ligjërisht?
Përshëndetje,
Faleminderit për pyetjet; janë shumë të rëndësishme dhe lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon prokurimi publik në praktikë.
Së pari, një procedurë prokurimi mund të ketë vetëm një ofertues dhe kjo është plotësisht e rregullt ligjërisht.
Ligji për Prokurimin Publik, ashtu si edhe praktikat e BE-së, nuk kërkon një numër minimal ofertuesish më të madh se një, por kërkon që të ketë të paktën një ofertues dhe që procedura të jetë:
- e shpallur publikisht,
- e hapur për të gjithë,
- me kritere objektive dhe jodiskriminuese.
Arsyet pse mund të paraqitet vetëm një ofertues janë shpesh objektive dhe lidhen me tregun, si p.sh.:
- treg i kufizuar për produkte specifike (barna, oksigjen mjekësor, kite diagnostikuese, mirëmbajtje pajisjesh mjekësore, shërbime lavanderie, shërbime kateringu);
- autorizime prodhuesi ose patenta ekskluzive;
- produkte të rregulluara me VKM, ku për përdorim spitalor autorizohet vetëm një operator;
- produkte që janë kompatibile vetëm me sisteme ekzistuese, etj.
Nëse procedura është e hapur, me dokumentacion të rregullt dhe kritere ligjore, ajo është e vlefshme edhe me një ofertues të vetëm.
Pyetje:
Pasi Komisioni ka përllogaritur fondin limit për blerjet e thjeshta me vlerë nën 100000 lekë dhe vlera e fondit të përllogaritur është 80000 lekë pa TVSH. Në procesin e vlerësimit të ofertave komisioni përzgjedh si ofertën fituese një operator i cili ka ofertuar një vlerë prej 80000 lekë pa TVSH ? Cili është raporti midis vlerës së fondit limit të përllogaritur dhe vlerës së ofertuar? Pra Komisioni duhet të zgjedhë një ofertë që është e barabartë me vlerën 80000 apo dhe një ofertë nën këtë vlerë.Duke ju falenderuar!
Përshëndetje,
Faleminderit për pyetjen tuaj.
Në rastin e procedurave të blerjeve të thjeshta, kur fondi limit i përcaktuar nga Komisioni është 80,000 lekë pa TVSH, kjo shumë përfaqëson vlerën maksimale të lejuar që mund të pranohet si ofertë e vlefshme.
Komisioni mund të shpallë fituese një ofertë që është:
- E barabartë me fondin limit (pra, 80,000 lekë), ose
- Më e ulët se fondi limit (p.sh. 75,000 lekë), nëse përmbush kriteret e tjera ligjore dhe teknike.
Ajo që nuk lejohet, është shpallja fituese e një oferte me vlerë mbi fondin limit, pasi kjo do të tejkalonte kufirin e miratuar për kontratën dhe do të binte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Prandaj, në shembullin tuaj, oferta me vlerë 80,000 lekë është plotësisht në përputhje me fondin limit dhe mund të shpallet fituese, nëse përmbush edhe kriteret e tjera të tenderit.
Faleminderit për interesin, dhe mbetemi në dispozicion për çdo sqarim të mëtejshëm.
Pyetje:
Pershendetje, Bazuar në pikën b) të nenit 56 të VKM Nr. 285, qe citon ",,,studimit të tregut, bazuar në mesataren e çmimeve të marra nga ky studim; ose/dhe,,," per pellogaritjen e fondit limit te kontrates. Ka ndonje format/ tabele/formule specifike per llogaritjen e cmimit mesatar, apo te mjaftohemi me formulen A+B+B/3 ? Faleminderit!
Faleminderit për pyetjen tuaj.
Bazuar në pikën b) të nenit 76 të VKM nr. 285, datë 19.5.2021, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, llogaritja e fondit limit mund të bëhet nëpërmjet mesatares së çmimeve të dala nga studimi i tregut. Edhe pse akti normativ nuk përcakton një formulë të detyrueshme matematikore (p.sh. A+B+C/3), është e rëndësishme që metoda e llogaritjes të jetë e dokumentuar, transparente dhe e justifikuar në raportin e studimit të tregut.
OBP rekomandon që për llogaritjen e çmimit mesatar:
- Të merren të paktën 3 oferta reale nga tregu;
- Të përjashtohen ofertat jashtëzakonisht të ulëta ose të larta, kur ka devijime të mëdha;
- Të aplikohet një mesatare aritmetike e çmimeve të vlefshme; nëse përdoret një formulë alternative si A+B+C/3, ajo duhet të shoqërohet me arsyetimin përkatës.
Në rastet kur përdoret një tabelë ose format specifik, kjo lidhet me natyrën e mallrave apo shërbimeve dhe duhet të pasqyrojë besueshmëri dhe objektivitet në përcaktimin e vlerës së tregut.
Ju faleminderit për interesin, dhe mbetemi në dispozicion për çdo sqarim shtesë.
Pyetje:
Pershendetje, Pyetje per procedurat e blerjeve me vlere nen 100.000 LEK. Ne perllogaritjen e vleres limit te kontrates per blerje materialesh pastrimi i jam referuar cmimeve te botuara nga OPB ne katalog.g, cmime qe i referohen mesatares se tregut pa tvsh. Ne perzgjedjen e OE fitues Komisioni duhet te vazhdoje me te njejtin kriter, pra nga 3 oferta ekonomike Komisioni zgjedh si fitues OE qe ka oferten mesatare? Apo OE qe paraqet oferten me te ulet? Duke ju falenderuar!
Përshëndetje,
Së pari, ju falënderojmë që keni përzgjedhur katalogun e hartuar dhe miratuar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, i cili është publikuar jo vetëm në faqen zyrtare të Operatorit, por edhe në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, për përllogaritjen e vlerës limit. Vlen të theksohet se këta katalogë ofrojnë çmime të konsoliduara, të mbështetura në studime dhe analiza të tregut, duke rritur transparencën, objektivitetin dhe unifikimin e praktikave ndërinstitucionale.
Së dyti, neni 11 i VKM-së nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, parashikon që autoritetet kontraktore mund të përdorin procedura të thjeshtuara, siç është blerja me vlerë nën 100 000 lekë, për objekte që përfshijnë mallra dhe shërbime të ngjashme, vlera e përllogaritur e të cilave, brenda një viti kalendarik, nuk tejkalon shumën prej 100 000 (njëqind mijë) lekësh.
Për këtë lloj procedure, Autoritetet Kontraktore mund të realizojnë blerje përmes një procesi të thjeshtuar, që përfshin kërkesën për oferta dhe përzgjedhjen mbi bazën e çmimit më të ulët të vlefshëm. Përdorimi i çmimeve të katalogut të OPB-së në këtë rast ka vetëm qëllim përcaktimin e vlerës limit dhe nuk ndikon në kriterin e përzgjedhjes së ofertës fituese.
Në përfundim, përzgjedhja e ofertës fituese në blerjet me vlerë nën 100 000 (njëqind mijë) lekë dhe në procedurat me vlerë të vogël bëhet mbi bazën e çmimit më të ulët.
Ju urojmë punë të mbarë!
Pyetje:
A zbatohet nje filter ne menyre qe nje OE i cili ka nje M.K te lidhur me nje AK, te mos konkuroje perseri per nje objekt te dyte prokurimi(te ngjashem me te parin), pasi si fuqia punetore ashtu edhe ana ekonomike e tij nuk perballon zbatimin me sukses te dy M.K njekohesisht me A.K te ndryshem?
Faleminderit për pyetjen tuaj.
Ligji nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, nuk ndalon në mënyrë automatike që një operator ekonomik (OE) i cili ka një kontratë ekzistuese me një autoritet kontraktor (AK), të marrë pjesë edhe në një procedurë tjetër prokurimi për një objekt të ngjashëm. Megjithatë, ekziston një filtër funksional dhe ligjor që quhet “kapaciteti ekonomik dhe teknik”, i cili zbaton pikërisht këtë parim që ju ngrini nëse parashikohet nga AK.
Si kontrollohet kjo në praktikë?
Gjatë procedurës së vlerësimit, autoriteti kontraktor:
- Vendos kritere të qarta kualifikimi, si:
- Stafi teknik dhe punëtorët e disponueshëm;
- Pajisjet dhe mjetet logjistike;
- Eksperienca e mëparshme;
- deklarimi i kontratave në proces.
- Kërkon dokumentacion për të provuar këto kapacitete, përfshirë informacion mbi kontrata të tjera në zbatim që mund të ndikojnë në përmbushjen e kontratës së re.
- Nëse një OE nuk arrin të dëshmojë se ka burime të mjaftueshme për të përballuar një kontratë të dytë të ngjashme, ai mund të skualifikohet për mungesë kapaciteti. Referencë ligjore:
- Neni 77 i Ligjit nr. 162/2020 – Parashikon që autoriteti kontraktor përcakton kriteret e veçanta të kualifikimit, përfshirë aftësinë për të përmbushur kontratën.
- Neni 25 i VKM nr. 285, datë 19.5.2021, i ndryshuar – Përcakton llojet e kapaciteteve të kërkuara dhe mënyrën e vlerësimit të tyre. Ndalim me mënyrë të drejtpërdrejtë zbatohet në kontratat e punëve publike lidhur me kriterin e drejtuesit teknik të kantierit sipas përcaktimeve të pikës 2.1 të Udhëzimit nr. 2, dt 15.05.2018 "Për zbatimin e punimeve të ndërtimit", i cili përcakton se për vepra të preventivuar me vlerë mbi 30 milion lekë, përgjegjësi teknik i kantierit është resident, me kohë të plotë në objekt dhe i diplomuar në inxhinieri ndërtimi.
Përfundim:
Pra, po, zbatohen filtra funksionalë, jo në formën e ndalimit të drejtpërdrejtë, por përmes vlerësimit të kapaciteteve ekonomike, teknike dhe organizative të OE-së. Autoriteti kontraktor ka të drejtën të mos lejojë fitimin e një kontrate të re, nëse operatori nuk provon që mund ta përmbushë në mënyrë të pavarur dhe efektive, pa cenuar kontratat ekzistuese.
Pyetje:
Ju lutem, a mund t'me shpjegoni si behet vleresimi me pike nga ana e institucionit kontraktor?
I nderuar, faleminderit për interesimin tuaj.
Vlerësimi me pikë i ofertave bëhet nga institucioni kontraktor në bazë të Ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, VKM 285/2021 e ndryshuar si dhe dokumenteve të tenderit të shpallur. Ky vlerësim është pjesë e procedurës së përzgjedhjes së “ofertës ekonomikisht më të favorshme bazuar në kosto”, e cila nuk bazohet vetëm në çmimin më të ulët, por në një kombinim të çmimit me elementë të tjerë cilësorë dhe ekonomikë.
Si funksionon në mënyrë të thjeshtuar:
-
Caktohen kriteret e vlerësimit në dokumentet e tenderit
Institucioni që shpall tenderin përcakton qartë në dokumentet e tij:- cilat kritere do të përdoren për vlerësim;
- sa pikë ka secili kriter;
- dhe si do të bëhet vlerësimi (metodologjia).
- Çmimi i ofruar
- Cilësia teknike e produktit ose shërbimit
- Koha e dorëzimit apo zbatimit
- Përvoja në fushën përkatëse
- Zgjidhje teknike ose funksionale
- Angazhimi në standarde të cilësisë ose mjedisit (si ISO, EMAS, etj.)
-
Çdo ofertë merr pikë për secilin kriter
Komisioni i vlerësimit shqyrton ofertat dhe pikëzon ofertat e kualifikuar sipas metodës së përcaktuar më parë në dokumentet e tenderit.- Për kriterin e çmimit, oferta më e ulët merr pikët maksimale. Ofertat e tjera vlerësohen proporcionalisht sipas një formule të përcaktuar.
P.sh., nëse çmimi mbart 60 pikë dhe oferta më e ulët është 100 lekë, ajo merr 60 pikë. Një ofertë me 120 lekë mund të marrë 50 pikë, sipas formulës. - Për kriteret cilësore (si përshkrimi teknik, përvoja, etj.), vlerësimi bëhet në një shkallë nga 0 deri në pikët maksimale, në varësi të cilësisë së informacionit të ofruar.
- Për kriterin e çmimit, oferta më e ulët merr pikët maksimale. Ofertat e tjera vlerësohen proporcionalisht sipas një formule të përcaktuar.
-
Llogariten pikët totale për çdo ofertë
Pikët që ka marrë çdo operator për secilin kriter bashkohen dhe krijojnë pikët totale të ofertës. Fitues shpallet operatori me totalin më të lartë të pikëve, për sa kohë përmbush të gjitha kërkesat ligjore dhe teknike.
Baza ligjore për këtë proces:
- Neni 87 i Ligjit nr. 162/2020, i ndryshuar – Trajton mënyrën e vlerësimit dhe renditjes së ofertave në bazë të kritereve të shpallura dhe vlerësimit me pikë.
- Neni 88 i të njëjtit ligj – Përcakton çfarë është oferta ekonomikisht më e favorshme dhe se ajo mund të bazohet në çmim, kosto ose cilësi.
- Neni 45 i VKM nr. 285, datë 19.05.2021, “Për miratimin e rregullores së prokurimit publik”, i ndryshuar – Përcakton metodën e përllogaritjes së pikëve dhe përdorimin e kostos më të ulët, kur krahasohet më shumë se vetëm çmimi.
Përfundim:
Vlerësimi me pikë është një metodë transparente dhe ligjërisht e rregulluar për të zgjedhur ofertën që ofron raportin më të mirë cilësi–kosto, dhe jo vetëm ofertën më të lirë. Kjo metodë siguron që kontrata të shkojë te një operator që përveç çmimit të përshtatshëm, ofron edhe cilësi, efikasitet dhe vlera të qëndrueshme për institucionin publik dhe shoqërinë.
Nëse keni nevojë për sqarime të mëtejshme ose referenca të më detajuara nga legjislacioni në fuqi, jemi në dispozicion. Ju faleminderit!
Pyetje:
Si e garanton OBP transparencën dhe efikasitetin në proceset e blerjeve të përqendruara që realizon?
Faleminderit për interesimin dhe pyetjen tuaj. Operatori i Blerjeve të Përqendruara garanton transparencën dhe efikasitetin në proceset e prokurimit përmes një sërë mekanizmash të vendosur në çdo hallkë të procedurës.
Transparenca sigurohet përmes:
- Publikimit në kohë reale të çdo procedure në faqen zyrtare të OBP dhe në sistemin elektronik të prokurimit;
- Njoftimit automatik për operatorët ekonomikë të regjistruar sipas kategorive të interesit;
- Vendosjes së dokumentacionit standard dhe katalogëve të unifikuar në dispozicion të të gjitha palëve, për mallra kryesisht pa asnjë tarifë;
- Aksesit të barabartë në informacion për të gjithë operatorët e tregut.
Efikasiteti arrihet përmes:
- Qendrimit të unifikuar dhe standardizuar të specifikimeve teknike, që redukton kohën dhe kostot e përgatitjes së dokumentacionit;
- Bashkimit të nevojave të autoriteteve kontraktore në kontrata të përqendruara, duke siguruar ekonominë e shkallës;
- Monitorimit të vazhdueshëm të tregut për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe çmime optimale;
- Përdorimit të sistemit Alb-Zone për hartimin teknik dhe referencimin profesional të kërkesave.
Këto mekanizma ndërtojnë një proces të qëndrueshëm, transparent dhe të besueshëm për të gjithë aktorët pjesëmarrës.
Pyetje:
Sa ju kane ardhur ne ndihme operatoreve ekonomike kto sherbimet qe ju keni ne faqe dhe a aplikoni tarifa dhe per operatoret ekonomike si per autoritetet?
Shërbimet që OBP ofron në faqen zyrtare janë konceptuar pikërisht për të lehtësuar aksesin dhe transparencën për operatorët ekonomikë.
Ndër më të rëndësishmit është njoftimi automatik për çdo procedurë prokurimi të publikuar nga OBP, i cili u dërgohet operatorëve që janë regjistruar si të interesuar për kategori të caktuara prokurimi. Ky shërbim është falas dhe ndihmon në informimin e menjëhershëm të OE-ve pa patur nevojë për kërkime të avancuara.
Gjithashtu, çdo procedurë e re e publikuar nga OBP publikohet menjëherë në faqen zyrtare, pa kufizime apo barriera aksesimi për përdoruesit. Kjo mënyrë komunikimi siguron barazi informacioni për të gjithë pjesëmarrësit në treg.
OBP nuk aplikon asnjë tarifë as për operatorët ekonomikë, as për autoritetet kontraktore, për aksesin në këto shërbime. Për autoritetet kontraktore, ofrohet gjithashtu akses falas në katalogët e unifikuar dhe të standardizuar, si dhe në sistemin Alb-Zone, i cili mbështet hartimin dhe zhvillimin e dokumentacionit teknik dhe specifikimeve standarde për procedurat e prokurimit.
Paralelisht, jemi duke zhvilluar shërbime të reja të dedikuara për operatorët ekonomikë, të cilat do të përmirësojnë më tej ndërveprimin me sistemin dhe do të rrisin transparencën në mënyrë të vazhdueshme.
Pyetje:
Cilat janë llojet e prokurimeve qe kryen OBP?
Faleminderit për pyetjen tuaj.
Përshëndetje, për të parë listën e plotë të objekteve të prokurimit që mbulon Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ju ftojmë të referoheni në faqen zyrtare tonë www.obp.al.
Kjo listë bazohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 531, datë 7.9.2023, i cili ka pësuar ndryshime dhe është zgjeruar me objekte të reja, që tashmë janë të reflektuara në web-in tonë. Megjithatë, referuar pikës 12 të kësaj VKM-je, OBP është i autorizuar të zhvillojë çdo lloj procedure prokurimi për mallra, shërbime apo punë të kërkuara nga autoritetet/entet kontraktore, edhe nëse objektet nuk janë të listuara në mënyrë të shprehur, për sa kohë institucioni kërkon asistencë dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme teknike për ta zhvilluar vetë procedurën.
Për çdo rast konkret, na kontaktoni dhe jemi të gatshëm të verifikojmë nëse objekti në fjalë mbulohet nga OBP apo mund të trajtohet me procedurë të dedikuar.
Pyetje:
Lejohet te prokurohet sherbimi i mirembajtjes per 7 sisteme informatike te ndryshme ne nje procedure te vetme prokurimi?
Përshëndetje Ina, dhe faleminderit për pyetjen! Po, është e mundur të prokurohet shërbimi i mirëmbajtjes për disa sisteme informatike në një procedurë të vetme, por kjo varet nga disa kritere të rëndësishme që duhet të respektohen për të garantuar ligjshmërinë dhe konkurrencën:
- Sistemet duhet të kenë lidhje funksionale/logjike ose të jenë pjesë e një strukture të përbashkët: P.sh., nëse janë sisteme që operojnë brenda të njëjtit institucion, ndajnë infrastrukturë të përbashkët, apo kërkojnë ndërveprim të vazhdueshëm dhe bashkimi është i justifikueshëm.
- Specifikimi teknik duhet të jetë i qartë për secilin sistem: Kjo shmang paqartësinë dhe ndihmon operatorët ekonomikë të kuptojnë saktësisht çfarë pritet nga ta për çdo komponent.
- Nuk duhet të përjashtojë konkurrencën:
Nëse bashkimi i shumë sistemeve do të pengonte pjesëmarrjen e operatorëve të vegjël ose të specializuar vetëm për një sistem, atëherë rekomandohet ndarja në lote.
- Mund të përdorni një procedurë të vetme me lote të ndara për çdo sistem, duke u dhënë operatorëve ekonomikë mundësinë të aplikojnë për një ose disa lote.
- Ose të aplikoni një bashkim operatorësh ekonomikë, kur kërkohet mbulim i plotë i të gjitha sistemeve.
Në çdo rast, për vendimmarrje të qartë dhe dokumentim të mirë, sugjerojmë të përgatitet një analizë paraprake që justifikon zgjedhjen e strukturës së procedurës.
Pyetje:
A mund te marrim konsulence nga ju per perdorimin e kritereve sociale dhe mjedisore pasi kemi pare qe i aplikoni sakte dhe kuptueshem?
Përshëndetje, faleminderit për pyetjen!
Po, patjetër që mund të ofrojmë konsulencë. OBP është trajnuar nga organizma kombëtarë dhe ndërkombëtarë për përdorimin e kriterieve sociale dhe mjedisore në prokurime, dhe aktualisht jemi në proces të zhvillimit të një udhëzuesi teknik praktik për përdorim të gjerë.
Kriteret sociale dhe mjedisore janë pjesë e angazhimeve tona strategjike për blerje të qëndrueshme dhe përfshirëse. Ne i kemi aplikuar tashmë në disa kategori prokurimi ku mund t’i aksesoni në sistem lehtesisht.
Pyetje:
A eshte me mire te perdoret me shume marrevshja kuader per procedura te prokurimit publik te cilat jane te vazhdueshme? Per te kursyer kohe, burime njerezore dhe me shume efektivitet? Dhe pse jo per cmime me konkurruese?
Përshëndetje Era, dhe faleminderit për pyetjen shumë të goditur!
Po, praktikisht përdorimi i marrëveshjeve kuadër për prokurime të përsëritura dhe të parashikueshme është një nga mënyrat më efektive për të kursyer kohë, burime njerëzore dhe për të rritur transparencën.
Në Strategjinë e OBP-së 2025–2027, është parashikuar zgjerimi i përdorimit të kontratave kuadër, veçanërisht në kategori ku:
- kërkesat janë të vazhdueshme,
- tregu është i njohur dhe analizueshëm,
- institucionet kërkojnë zgjidhje më fleksibël dhe të shpejta.
Përfitimet janë të qarta:
- procedura e thjeshtuar për autoritetet publike,
- çmime më të mira për shkak të volumit dhe konkurrencës paraprake,
- përgjigje më të shpejta ndaj nevojave operative.
Dhe pyetja juaj “Pse jo për çmime më konkurruese?” është shumë me vend. Në fakt, marrëveshjet kuadër nuk përjashtojnë konkurrencën, përkundrazi:
- mund të lidhen me shumë operatorë, dhe
- brenda tyre mund të zhvillohen mini-konkurse për të marrë ofertën më të mirë për momentin.
Po punojmë që këto marrëveshje të jenë edhe më të aksesueshme për të gjitha AK-të, përmes katalogjeve të standardizuara dhe platformës së re e-AlbZone.
Pyetje:
Mendoni se krijimi i nje sistemi per monikonkurrimin do e bente me te thjeshte procesin? Keni marre hapa per te?
Përshëndetje Eri, faleminderit për pyetjen shumë me vend!
Po, pjesë e Strategjisë së OBP-së 2025–2027 është pikërisht zhvillimi i mekanizmave të monitorimit të konkurrencës në prokurimet publike, si një mënyrë për të rritur transparencën dhe eficiencën.
Aktualisht jemi në fazën përgatitore të platformës së re digjitale e-AlbZone, e cila do të shërbejë jo vetëm për administrimin e katalogjeve dhe porosite online, por edhe si një instrument për monitorimin e tregut. Kjo platformë do të na ndihmojë të analizojmë:
- sa operatorë marrin pjesë në procedura,
- ku ka konkurrencë reale dhe ku mungon,
- si evoluojnë çmimet për mallra dhe shërbime të përsëritura.
Qëllimi është ta bëjmë procesin më të thjeshtë, më të drejtë dhe të matshëm, si për ne si organ qendror, ashtu edhe për institucionet që na besojnë prokurimet.
e-AlbZone do të jetë një platformë monitoruese dhe dinamike, që i jep kuptim konkret vizionit të strategjisë sonë: “blerje të mençura për shërbim më të mirë publik.”
Pyetje:
Përshëndetje.Nëse në një procedure prokurimo 55% te fondit limit e perbehet nga objekte te prokurueshme me LPP dhe 45% me legjislacionin ne fushen e mbrotjes dhe sigurise: me cfare legjislacioni zhvillohet procedura? flm
Përshëndetje dhe ju faleminderit për interesimin dhe pyetjen tuaj.
Në rastet kur një procedurë prokurimi përfshin një kombinim objektesh të mbuluara si nga legjislacioni i prokurimeve publike (LPP), ashtu edhe nga ai në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përcaktimi i legjislacionit të zbatueshëm nuk bazohet në ndarjen përqindore të fondit limit, por në natyrën dhe objektin kryesor të kontratës.
Ky parim mbështetet në nenin 5, pika 2 të Ligjit nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik”, i cili përcakton:
“Në rast të një kontrate publike me objekt të përzier, autoriteti kontraktor përcakton rregullat që do të zbatohen, në përputhje me objektin kryesor të kontratës.”Pra:
- Përqindja e fondit mund të shërbejë si tregues ndihmës për analizën, por nuk është bazë e vetme apo vendimtare për zgjedhjen e kuadrit ligjor të zbatueshëm.
- Analiza duhet të bazohet mbi funksionin dominues të kontratës dhe mbi qëllimin për të cilin ajo lidhet.
Roli i OBP: OBP mbetet në dispozicion për të mbështetur çdo institucion për vlerësimin e drejtë dhe të unifikuar të rasteve konkrete, në funksion të respektimit të ligjit dhe standardeve të transparencës në prokurim.
Pyetje:
A mund te marre pjese ne nje mini-konkurence nje operator qe nuk eshte pjese e kuader-marreveshjes?
Përshëndetje,
Jo. Në mini-konkurencë marrin pjesë vetëm operatorët ekonomikë që janë përzgjedhur dhe kanë firmosur marrëveshjen kuadër. Asnjë subjekt tjetër nuk mund të ftohet apo të paraqesë ofertë.
Kjo është një praktikë standarde në prokurimet publike që përdorin marrëveshje kuadër, për të garantuar:
- respektimin e kritereve të përzgjedhjes së operatorëve;
- transparencën dhe konkurrencën reale midis pjesëmarrësve të kualifikuar;
- efikasitetin e procedurës dhe përshpejtimin e vendimmarrjes.
OBP është në dispozicion për çdo sqarim shtesë mbi mënyrën e funksionimit të mini-konkurencave dhe për ndihmë në zbatimin praktik të tyre.
Pyetje:
A mund te ndryshohet pershkrimi teknik i mallrave pas shpalljes se njoftimit te kontrates??
Përshëndetje,
Jo. Pasi është shpallur njoftimi i kontratës dhe dokumentet e tenderit janë publikuar, përshkrimi teknik nuk mund të ndryshohet, përveçse nëpërmjet një sqarimi zyrtar që nuk cenon barazinë në garë apo nuk ndryshon objektin e prokurimit. Çdo ndryshim i rëndësishëm do të kërkonte rishpallje të procedurës.
Pyetje:
A mund te marre pjese ne nje procedure nje operator ekonomik i huaj qe nuk ka NUIS ne Shqiperi?
Përshëndetje,
Po, operatorët ekonomikë të huaj mund të marrin pjesë në procedurat e prokurimit publik në Shqipëri, për sa kohë përmbushin kriteret e vendosura në dokumentet e tenderit. Në vend të NUIS-it shqiptar, ata paraqesin një dokument identifikimi të regjistrimit të aktivitetit në vendin e tyre të origjinës.
Pyetje:
Ne nje procedure prokurimi me vlere te vogel, a mund te kerkohen kritere te larta kualifikuese?
Jo. Në procedurat me vlerë të vogël, kriteret e kualifikimit duhet të jenë proporcionale me natyrën dhe vlerën e kontratës. Kërkesat e panevojshme apo të paarsyeshme që kufizojnë konkurrencën janë të papranueshme dhe bien ndesh me parimet e prokurimit publik.
Pyetje:
Kur eshte e detyrueshme kerkesa per mostrat e produkteve gjate nje procedure prokurimi?
Mostrat mund të kërkohen nga autoriteti kontraktor kur natyra e mallrave objekt prokurimi e justifikon një kërkesë të tillë për vlerësim më të saktë të cilësisë. Kjo kërkesë duhet të jetë e përcaktuar qartë në dokumentet e tenderit dhe të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.
Pyetje:
Përshëndetje ! Kur në një procedure kemi kriter, plotësimin e tabelës për mallrat objekt prokurimi dhe na kërkohet vëndi origjinës së mallit, Autoriteti Kontraktor na kërkon origjinën e lëndës së parë me të cilën prodhohet produkti apo vëndin ku prodhohen mallrat objekt prokurimi?
Faleminderit për pyetjen. Në rastet kur në dokumentacionin e një procedure prokurimi kërkohet deklarimi i vendit të origjinës për mallrat objekt prokurimi, nënkuptohet vendi ku prodhohen përfundimisht këto mallra, dhe jo vendi i origjinës së lëndës së parë që përdoret për prodhimin e tyre.
Origjina përcaktohet sipas vendit ku malli i nënshtrohet përpunimit të fundit të rëndësishëm, që rezulton në përgatitjen e produktit përfundimtar. Prandaj, kur plotësoni tabelat përkatëse, ju lutemi të deklaroni vendin ku është prodhuar produkti përfundimtar, që është objekt i prokurimit.
Pyetje:
Si mund të regjistrohem për të marrë njoftim për procedurat e publikuara nga ju në APP?
Përshëndetje, në faqen tonë gjendet rubrika "Regjistrohu si OE", dhe në këtë rubrikë ju duhet të plotësoni të dhënat tuaja si dhe të zgjidhni një nga fushat e objekteve të prokurimit për cilën jeni e interesuar.
Pyetje:
Cilat janë procedurat që ndiqen për tu regjistruar në AlbZone?
Përshëndetje, personat të cilët kanë akses në platformën AlbZone janë vetëm punonjësit e Autoriteteve Kontraktore pasi ata janë përdoruesit e kësaj platforme.
Pyetje:
Sa eshte tarifa per kryerje procedure prokurimi?
Përshëndetje, OBP ofron këtë shërbim kundrejt një tarife prej 2.5% e vlerës së fondit të kërkuar për t’u prokuruar për procedura me vlerë deri në 200.000.000 lekë pa TVSH, dhe 5.000.000 lekë për çdo procedurë me vlerë mbi 200.000.000 lekë pa TVSH.
Pyetje:
Sa eshte tarifa per sherbimin e konsulences prane OBP?
Përshëndetje, referuar tarifave të miratuara me VKM, OBP ofron shërbimin e konsulencës kundrejt një tarife prej 7,000 lekë/ora.