OBP në Vjenë – Shkëmbim eksperiencash dhe praktikash të mira në prokurimin publik

Një delegacion i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, i kryesuar nga Administratori, z. Jonaid Myzyri, dhe i përbërë nga përfaqësues të stafit të institucionit, zhvilloi një vizitë studimore pranë Agjencisë Federale të Prokurimit të Austrisë (BBG), në Vjenë.

Në kuadër të kësaj vizite, Administratori i OBP-së zhvilloi një takim me homologun e tij austriak, ku u diskutua mbi modelet e prokurimit të përqendruar, sfidat e përbashkëta dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Vizita u fokusua në shkëmbimin e eksperiencave dhe njohjen nga afër me modelin austriak të prokurimit të përqendruar, praktikat më të mira evropiane, si dhe mekanizmat që BBG aplikon për rritjen e eficiencës, transparencës dhe efektivitetit në menaxhimin e prokurimeve publike.

Gjatë takimeve dhe diskutimeve teknike, vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit dhe funksionimit të sistemeve të prokurimit të përqendruar, standardizimit të proceseve, përdorimit të mjeteve digjitale dhe mundësive për përshtatjen e praktikave të suksesshme ndërkombëtare në kontekstin shqiptar.

🤝 Vizita përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve institucionale ndërmjet OBP-së dhe BBG-së, duke krijuar mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm, shkëmbim njohurish dhe zhvillim të kapaciteteve profesionale të stafit.

📈 OBP mbetet e angazhuar në modernizimin e prokurimit publik në Shqipëri, përmes forcimit të kapaciteteve institucionale, përmirësimit të vazhdueshëm të proceseve dhe përafrimit të praktikave të prokurimit të përqendruar me standardet dhe modelet më të mira evropiane.