📍 Më 20–21 tetor 2026, dy përfaqësuese të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), Znj Roza Ndoj dhe Znj Mirela Domi morën pjesë në workshop-in rajonal “Smart Procurement 4 Strong Governance”, të organizuar në Shkup, Maqedonia e Veriut, nga ReSPA në bashkëpunim me SIGMA/OECD.
Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve të prokurimit publik nga vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë, e përfaqësuar nga APP, KPP dhe OBP, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Diskutimet u fokusuan në identifikimin dhe parandalimin e parregullsive në prokurimin publik, përdorimin e indikatorëve të riskut (red flags), forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, transparencën dhe llogaridhënien, si dhe rolin e digjitalizimit në përmirësimin e sistemeve të prokurimit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu zhvillimeve të propozuara në kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian për prokurimin publik dhe rëndësisë së përafrimit me standardet evropiane.
Pjesëmarrja në aktivitete të tilla kontribuon në forcimin e kapaciteteve profesionale të stafit të OBP-së dhe nxit zbatimin e praktikave bashkëkohore për një prokurim publik më transparent, efikas dhe të përgjegjshëm.