Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka nënshkruar ditën e djeshme marrëveshjen e bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), duke patur krijuar mundësi të reja punësimi për punëkërkuesit e regjistruar pranë Zyrave të Punës, duke i integruar ata në tregun e punës, përmes vendeve të reja të punës që krijohen nga investimet publike, të prokuruara nga OBP.
Administratorja e OBP, znj. Arlinda Pogaj theksoi se kjo iniciativë e ndërmarrë nga OBP synon të krijojë mundësi të reja punësimi për punëkërkuesit e regjistruar pranë AKPA, duke i integruar ata në tregun e punës përmes procedurave të prokurimit publik. Ajo shtoi se procedurat e prokurimit do të kenë një metodologji pikëzimi e cila do të konsistojë në vlerësimin e operatorëve sa i përket numrit të punonjësve që do të rekrutojë nga target grupi i punëkërkuesve të papunë.
Nga ana tjetër, drejtori i AKPA, z. Klevis Hysa, vlerësoi marrëveshjen si një iniciativë sociale që ndihmon në rritjen e punësimit për grupet e cenueshme dhe të margjinalizuara, të cilat kanë vështirësi në aksesimin e tregut të punës. Ai theksoi se kjo do të ndihmojë në uljen e papunësisë dhe nxitjen e zhvillimit rajonal, duke krijuar mundësi punësimi atje ku realizohen investime.
Kjo praktikë synon të reduktojë papunësinë si edhe të promovojë një model të ri të prokurimit publik, ku blerjet dhe investimet shtetërore kontribuojnë drejtpërdrejt në mbështetjen e grupeve më të cenueshme të shoqërisë.
Kjo është një arritje e rëndësishme, që tregon angazhimin e OBP dhe institucioneve për të ndërtuar një ekonomi më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse!
