OBP nis publikimin e procedurave të prokurimit në platformën evropiane TED

Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe ndërkombëtarizimit të prokurimit të përqendruar shqiptar. Duke filluar nga data 20 tetor 2026, OBP ka nisur publikimin në platformën evropiane TED (Tenders Electronic Daily) të të gjitha procedurave të prokurimit mbi kufirin e lartë monetar.

Kjo nismë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në përafrimin e praktikave të prokurimit publik në Shqipëri me standardet evropiane, duke zgjeruar aksesin në informacion, duke promovuar procedurat e prokurimit shqiptar në tregun evropian dhe duke krijuar mundësi të reja për rritjen e konkurrencës dhe pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë ndërkombëtarë.

Realizimi teknik i kësaj nisme është rezultat i punës dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të stafit të OBP-së, i cili ka zhvilluar dhe implementuar zgjidhjen teknologjike që mundëson përgatitjen, validimin dhe dërgimin elektronik të njoftimeve të prokurimit në platformën TED, në përputhje me standardet evropiane eForms.

Ky proces është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Zyrën e Publikimeve të Bashkimit Evropian, strukturën përgjegjëse për administrimin e platformës TED. Falë ekspertizës, angazhimit dhe kapaciteteve të brendshme të stafit të OBP-së, u mundësua zhvillimi, testimi dhe vënia në funksion e këtij mekanizmi, në përputhje me standardet teknike evropiane.

Çfarë është TED?

TED (Tenders Electronic Daily) është versioni elektronik i Suplementit të Gazetës Zyrtare të Bashkimit Evropian, i dedikuar publikimit të njoftimeve të prokurimit publik.

Platforma ofron akses të centralizuar dhe falas në mundësitë e prokurimit publik në Bashkimin Evropian, Zonën Ekonomike Evropiane dhe vende të tjera. Çdo ditë, nga e hëna në të premte, në TED publikohen mijëra njoftime, të cilat mund të kërkohen dhe filtrohen sipas shtetit, rajonit, sektorit ekonomik dhe kritereve të tjera.

TED ofron informacion dhe funksionalitete në 24 gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian, si dhe u mundëson përdoruesve të personalizojnë kërkimet, të marrin njoftime automatike përmes postës elektronike, të përdorin burime informacioni RSS dhe funksione të përkthimit automatik.

Më shumë transparencë, konkurrencë dhe akses në tregun evropian

Publikimi i procedurave të OBP-së në TED, i nisur më 20 tetor 2026, krijon mundësi të reja për promovimin e prokurimeve shqiptare në tregun evropian, duke lehtësuar aksesin e operatorëve ekonomikë të huaj në informacionin mbi procedurat e prokurimit publik.

Ky zhvillim synon të nxisë pjesëmarrjen e një numri më të madh operatorësh ekonomikë, të zgjerojë konkurrencën dhe të kontribuojë në përdorimin më efikas të fondeve publike.

Njëkohësisht, kjo arritje përbën një hap konkret në procesin e transformimit digjital të OBP-së, forcimit të kapaciteteve të saj institucionale dhe përafrimit të praktikave të prokurimit publik me standardet e Bashkimit Evropian.

Me këtë nismë, OBP riafirmon angazhimin për ndërtimin e një sistemi prokurimi publik më të hapur, transparent, konkurrues dhe efikas, duke kontribuar në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Prokurojmë për Shqipërinë Evropiane!