Njoftim për vend të lirë pune: Specialist në Sektorin e Standartizimit dhe Unifikimit

Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, VKM-së nr. 531 datë 07.09.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Perqëndruara” Sh.a për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë” si dhe në zbatim të VKM-së nr. 504 datë 10.09.2025 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 531 datë 07.09.2025”, Operatori i Blerjeve të Përqendruara shpall konkurimin për vend të lirë pune në pozicionin:

Specialist fushe në Sektorin e Standartizimit dhe Unifikimit në Drejtorinë e Standarteve dhe Tregtisë.

Specialisti i fushës ndihmon në zhvillimin, implementimin dhe mbikëqyrjen e standardeve dhe procedurave të unifikimit për konceptimin e katalogëve, duke siguruar që ato përmbushin kërkesat ligjore dhe të sektorit.

Detyrat kryesore të pozicionit të punës konsistojnë si më poshtë:

  • Merr pjesë në grupet e punës të ngritura për hartimin, rishikimin dhe përditësimin e katalogëve të unifikuar të mallrave dhe shërbimeve që janë objekt i prokurimeve të përqendruara.
  • Kontribuon në analizimin dhe unifikimin e specifikimeve teknike të mallrave dhe shërbimeve, në bashkëpunim me specialistët teknikë dhe ekspertët e fushave përkatëse, duke synuar standardizimin e kërkesave dhe shmangien e dallimeve të pajustifikuara.
  • Kryen analiza të tregut, mbledh dhe përpunon të dhëna mbi çmimet, karakteristikat dhe kushtet e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve, në funksion të përcaktimit të çmimeve referuese dhe vlerësimit të kostove.
  • Kontribuon në përgatitjen e analizave ekonomike dhe financiare për kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që përfshihen në katalogë, duke marrë në konsideratë çmimet e tregut, sasitë e parashikuara dhe faktorët që ndikojnë në formimin e çmimeve.
  • Bashkëpunon me strukturat e tjera të OBP-së dhe institucionet përfituese për mbledhjen, verifikimin dhe konsolidimin e të dhënave të nevojshme për hartimin e katalogëve.
  • Merr pjesë në përgatitjen e dokumentacionit, tabelave krahasuese, raporteve dhe materialeve mbështetëse për procesin e standardizimit dhe unifikimit.
  • Monitoron dhe analizon ndryshimet e çmimeve dhe zhvillimet e tregut, duke propozuar përditësimin e të dhënave ekonomike dhe financiare të katalogëve.

 

KRITERE TË PËRGJITHSHME:

  • Të ketë integritet të lartë profesional dhe moral;
  • Të jetë shtetas shqiptar;
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  • Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë;
  • Të mos jetë në hetim dhe në proces gjykimi;

 

KRITERET E VEÇANTA QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI:

  • Të ketë përfunduar studimet universitare në fushën e Ekonomisë, Administrimit të Biznesit, Financës, Kontabilitetit ose në fusha të tjera të ngjashme me to;
  • Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor ose Master Profesional në një nga fushat e sipërpërmendura;
  • Të ketë të paktën 2 vite eksperiencë pune në fushën ekonomike/financiare/menaxhim biznesi.
  • Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
  • Të ketë aftësi të mira komunikuese dhe të bashkëpunimit në grup;
  • Të përdorë shumë mirë paketën Microsoft Office si dhe Web browser.

 

PARAQITJA E DOKUMENTEVE:

Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin përmes postës brenda datës 16.11.2026 në Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në adresën: Rruga “Reshit Çollaku”, Godina Nr 6/337,(në krah të Gjykatës së Lartë):

  • Kërkesë për aplikim ku të shprehet qartë pozicioni për të cilin aplikohet;
  • Jetëshkrimi i përditësuar, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike,etj. ( CV )
  • Fotokopje e noterizuar e diplomës;
  • Fotokopje të librezës së punës ose dokument i ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
  • Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
  • Fotokopje të dëshmive të gjuhëve të huaja (nëse ka) ;
  • Vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
  • Vërtetimin e aftësisë për punë.

Dokumentacioni do të administrohet në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.