Në zbatim të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, VKM-së nr. 531 datë 07.09.2023 “Për krijimin e shoqërisë aksionare shtetërore “Operatori i Blerjeve të Perqëndruara” Sh.a për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, Ministrive dhe Institucioneve të Varësisë” si dhe në zbatim të VKM-së nr. 504 datë 10.09.2025 “Për disa ndryshime në vendimin nr. 531 datë 07.09.2025”, Operatori i Blerjeve të Përqendruara shpall konkurimin për vend të lirë pune në pozicionin:
Specialist fushe në Sektorin e Standartizimit dhe Unifikimit në Drejtorinë e Standarteve dhe Tregtisë.
Specialisti i fushës ndihmon në zhvillimin, implementimin dhe mbikëqyrjen e standardeve dhe procedurave të unifikimit për konceptimin e katalogëve, duke siguruar që ato përmbushin kërkesat ligjore dhe të sektorit.
Detyrat kryesore të pozicionit të punës konsistojnë si më poshtë:
- Merr pjesë në grupet e punës të ngritura për hartimin, rishikimin dhe përditësimin e katalogëve të unifikuar të mallrave dhe shërbimeve që janë objekt i prokurimeve të përqendruara.
- Kontribuon në analizimin dhe unifikimin e specifikimeve teknike të mallrave dhe shërbimeve, në bashkëpunim me specialistët teknikë dhe ekspertët e fushave përkatëse, duke synuar standardizimin e kërkesave dhe shmangien e dallimeve të pajustifikuara.
- Kryen analiza të tregut, mbledh dhe përpunon të dhëna mbi çmimet, karakteristikat dhe kushtet e ofrimit të mallrave dhe shërbimeve, në funksion të përcaktimit të çmimeve referuese dhe vlerësimit të kostove.
- Kontribuon në përgatitjen e analizave ekonomike dhe financiare për kategoritë e mallrave dhe shërbimeve që përfshihen në katalogë, duke marrë në konsideratë çmimet e tregut, sasitë e parashikuara dhe faktorët që ndikojnë në formimin e çmimeve.
- Bashkëpunon me strukturat e tjera të OBP-së dhe institucionet përfituese për mbledhjen, verifikimin dhe konsolidimin e të dhënave të nevojshme për hartimin e katalogëve.
- Merr pjesë në përgatitjen e dokumentacionit, tabelave krahasuese, raporteve dhe materialeve mbështetëse për procesin e standardizimit dhe unifikimit.
- Monitoron dhe analizon ndryshimet e çmimeve dhe zhvillimet e tregut, duke propozuar përditësimin e të dhënave ekonomike dhe financiare të katalogëve.
KRITERE TË PËRGJITHSHME:
- Të ketë integritet të lartë profesional dhe moral;
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë;
- Të mos jetë në hetim dhe në proces gjykimi;
KRITERET E VEÇANTA QË DUHET TË PLOTËSOJË KANDIDATI:
- Të ketë përfunduar studimet universitare në fushën e Ekonomisë, Administrimit të Biznesit, Financës, Kontabilitetit ose në fusha të tjera të ngjashme me to;
- Të zotërojë diplomë të nivelit Master Shkencor ose Master Profesional në një nga fushat e sipërpërmendura;
- Të ketë të paktën 2 vite eksperiencë pune në fushën ekonomike/financiare/menaxhim biznesi.
- Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze;
- Të ketë aftësi të mira komunikuese dhe të bashkëpunimit në grup;
- Të përdorë shumë mirë paketën Microsoft Office si dhe Web browser.
PARAQITJA E DOKUMENTEVE:
Kandidati duhet të paraqesë dokumentacionin përmes postës brenda datës 16.11.2026 në Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në adresën: Rruga “Reshit Çollaku”, Godina Nr 6/337,(në krah të Gjykatës së Lartë):
- Kërkesë për aplikim ku të shprehet qartë pozicioni për të cilin aplikohet;
- Jetëshkrimi i përditësuar, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike,etj. ( CV )
- Fotokopje e noterizuar e diplomës;
- Fotokopje të librezës së punës ose dokument i ngjashëm për të vërtetuar përvojën e punës;
- Fotokopje të çertifikatave të kualifikimit (nëse ka);
- Fotokopje të dëshmive të gjuhëve të huaja (nëse ka) ;
- Vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
- Vërtetimin e aftësisë për punë.
Dokumentacioni do të administrohet në përputhje me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.