Operatori i Blerjeve të Përqendruara vijon të konsolidojë rolin e tij si një instrument kyç për rritjen e eficiencës, transparencës dhe konkurrencës në prokurimin e përqendruar në Shqipëri. Bazuar në të dhënat zyrtare të OBP, kursimet e realizuara nga procedurat e zhvilluara gjatë funksionimit në harkun kohor të rreth 2 viteve arrijnë në 40 milionë euro kursim për buxhetin e shtetit.
Në vetëm pak kohë me aktivitet si shoqëri aksionare me 100% kapital shtetëror, OBP ka sjellë një transformim të dukshëm në mënyrën se si zhvillohen procedurat e prokurimit për institucionet qendrore dhe ato të varësisë. Vetëm gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 1,163 tendera, ndërsa vlera totale e fondeve të vlerësuara ka arritur në rreth 315 milionë euro. Këto shifra dëshmojnë jo vetëm volumin e lartë të punës, por edhe ndikimin konkret të këtij institucioni në menaxhimin më efektiv të financave publike.
Përtej kursimeve financiare, OBP ka sjellë edhe një sërë përfitimesh të tjera të rëndësishme për administratën publike dhe tregun. Ndër to spikasin rritja e numrit të procedurave të shpallura, reduktimi i kohës së zhvillimit të procedurave, unifikimi i specifikimeve teknike dhe çmimeve, si edhe dixhitalizimi i proceseve, përmes zgjidhjeve si platforma AlbZone, gjenerimi automatik i dokumenteve standarde të tenderit dhe arkiva digjitale.
Një tjetër tregues i rëndësishëm i ndikimit të OBP është zgjerimi i bazës së përfituesve dhe rritja e konkurrueshmërisë. Aktualisht, 600 operatorë ekonomikë janë të regjistruar për të marrë njoftime automatike sa herë publikohen tendera nga OBP, një mekanizëm që ka ndikuar pozitivisht në rritjen e pjesëmarrjes në procedura. Po ashtu, institucione të ndryshme kanë nisur të dërgojnë kërkesa në mënyrë vullnetare përmes katalogëve të miratuar nga OBP, duke treguar besim në këtë model të centralizuar dhe më efikas të prokurimit.
Në dimensionin e prokurimit të qëndrueshëm, OBP ka ndërmarrë hapa konkretë për të integruar kriteret sociale dhe mjedisore në procedurat publike. Vetëm gjatë vitit 2025 janë zhvilluar 41 procedura prokurimi të qëndrueshëm, që përbëjnë 7% të procedurave të zhvilluara nga OBP. Ndërkohë, në kuadër të prokurimit social janë zhvilluar 16 procedura, ku është kërkuar që 5% e punonjësve të jenë punëkërkues të papunë. Në bashkëpunim me AKPA, janë deklaruar nga operatorët ekonomikë mbi 350 punëkërkues për t’u rekrutuar në kontratat publike të prokuruara nga OBP.
Kursimi i rreth 40 milionë eurove për buxhetin e shtetit është sot një tregues i qartë se prokurimi i përqendruar mund të jetë një mekanizëm i fuqishëm për të garantuar përdorim më të mençur të fondeve publike, më shumë transparencë dhe më shumë standardizim. Në këtë mënyrë, OBP po konsolidohet si një model modern i administrimit publik, në shërbim të institucioneve dhe qytetarëve.