Operatori i Blerjeve të Përqendruara nis serinë e trajnimeve për institucionet publike në të gjithë vendin, me qëllim prezantimin e përdorimit të platformës së re prokurimet.obp.al, e cila mundëson dërgimin elektronik të kërkesave për zhvillimin e procedurave të prokurimit pranë OBP.
Trajnimet do të zhvillohen gjatë muajve gusht dhe shtator 2026, duke kombinuar sesione online dhe fizike, sipas një kalendari të dedikuar për çdo qark. Gjatë tyre, pjesëmarrësit do të njihen me:
* procesin e aksesit në platformë;
* mënyrën e krijimit dhe dërgimit të kërkesave për prokurim;
* funksionalitetet kryesore të platformës;
* procedurat e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe OBP;
* demonstrime praktike dhe përgjigje për pyetjet e pjesëmarrësve.
OBP fton të gjitha institucionet e përfshira në kalendar të marrin pjesë në trajnimet përkatëse, në mënyrë që të njihen me funksionalitetet e platformës dhe të sigurojnë përdorimin e saj të saktë dhe efikas në proceset e prokurimit.
Platforma prokurimet.obp.al është ndërtuar për të thjeshtuar komunikimin ndërmjet institucioneve kontraktore dhe OBP, duke rritur efikasitetin, transparencën dhe shpejtësinë e administrimit të kërkesave për prokurim.