OBP nis trajnimet për përdorimin e platformës prokurimet.obp.al
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka nisur ciklin e trajnimeve për përdorimin e platformës prokurimet.obp.al, me qëllim njohjen e institucioneve kontraktore me funksionalitetet e saj dhe lehtësimin e procesit të paraqitjes së kërkesave për prokurim.
Gjatë sesioneve të trajnimit, përfaqësuesit e institucioneve njihen në mënyrë të detajuar me hapat për përdorimin e platformës, nga krijimi dhe administrimi i kërkesave, plotësimi i informacionit dhe dokumentacionit përkatës, deri te dërgimi dhe ndjekja e statusit të tyre në sistem.
Pjesë e trajnimeve janë gjithashtu demonstrime praktike të funksioneve kryesore të platformës, si dhe sesione pyetje–përgjigje për adresimin e çështjeve teknike dhe procedurale që mund të lindin gjatë përdorimit të saj.
Platforma prokurimet.obp.al përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të digjitalizimit dhe standardizimit të komunikimit ndërmjet OBP-së dhe autoriteteve kontraktore, duke synuar rritjen e efikasitetit, transparencës dhe gjurmueshmërisë në administrimin e kërkesave për prokurim.
OBP do të vijojë organizimin e trajnimeve dhe ofrimin e mbështetjes së nevojshme për institucionet, me qëllim garantimin e një përdorimi sa më të thjeshtë dhe efektiv të platformës.






