THIRRJE PËR EKSPERT TË JASHTËM PËR STRUKTURIMIN DHE NDËRVEPRUESHMËRINË E TË DHËNAVE

Operatori i Blerjeve të Përqendruara në kuadër të nevojave për konceptimin e zgjidhjeve teknologjike të brendshme përmes sistemeve elektronike, kërkon të angazhojë një ekpert të jashtëm për strukturimin dhe ndërveprueshmërinë e të dhënave.

OBJEKTI DHE DETYRAT E EKSPERTIT

    Ofrimi i ekspertizës dhe asistencës teknike për strukturimin, standardizimin dhe ndërveprueshmërinë e të dhënave në një platformë të brendshme, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të një sistemi të integruar, funksional dhe të qëndrueshëm.

    Detyrat konkrete që do të realizohen:

    Identifikimi dhe përcaktimi i treguesve kryesorë statistikorë (KPI) për monitorimin e procedurave të prokurimit publik në Operatorin e Blerjeve të Përqendruara (OBP).

    Përcaktimi i metodologjive për mbledhjen, pastrimin, përpunimin, agregimin dhe analizimin e të dhënave, duke përfshirë informacionin e marrë nga burime të brendshme dhe sisteme të jashtme.

    Mbështetja në projektimin e raporteve statistikore, tabelave analitike dhe dashboard-eve për paraqitjen dhe monitorimin e treguesve sipas periudhave kohore, kategorive dhe kritereve të përcaktuara.

    Verifikimi i metodologjisë së llogaritjes së treguesve dhe validimi i rezultateve statistikore, duke siguruar saktësinë, konsistencën dhe krahasueshmërinë e të dhënave.

    Përgatitja e dokumentacionit metodologjik dhe rekomandimeve për përmirësimin analizës, raportimit dhe përdorimit të të dhënave në mbështetje të vendimmarrjes institucionale.

    AFATI DHE KOHËZGJATJA E ANGAZHIMIT

    Data e fillimit të angazhimit: Dhjetor 2026.

    Afati i përfundimit: 20.10.2027.

    Numri i parashikuar i orëve të punës: 480 orë

    VLERA FINANCIARE NË DISPOZICION NGA OBP SË SHËRBIMIT

    1,029 lekë/orë pune

    DOKUMENTACIONI I KËRKUAR PËR APLIKIM:

    Jetëshkrim (CV) të përditësuar, ku të pasqyrohen arsimi, kualifikimet dhe përvoja profesionale në fushën përkatëse.

    Kopje të diplomës universitare dhe të dokumenteve të tjera që vërtetojnë kualifikimet akademike përkatëse.

    Dokumentacion që vërteton përvojën profesionale, si vërtetime pune, kontrata, referenca ose dokumente të tjera që dëshmojnë angazhimin në projekte të ngjashme.

    Përshkrim të shkurtër të projekteve ose angazhimeve të mëparshme, që lidhen drejtpërdrejt me profilin për të cilin aplikohet (Portofol i punëve të mëparshme).

    Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e kërkuar brenda 27.11.2026, nëpërmjet adresës elektronike [email protected] ose duke e dorëzuar pranë Operatorit të Blerjeve të Përqendruara me adresë Rruga “Reshit Çollaku”, Godina Nr.6/337, Tiranë (në krah të Gjykatës së Lartë).