Administratorja e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), znj. Arlinda Pogaj, mori pjesë në Tryezën Dypalëshe të organizuar nga OECD/SIGMA, me temë “Enhancing Public Procurement Systems Through Institutional Cooperation”, e zhvilluar në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të prokurimit publik nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
Gjatë fjalës së saj, znj. Pogaj prezantoi modelin e blerjeve të përqendruara në Shqipëri, duke ndarë përvojën dhe zhvillimet kryesore të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara në konsolidimin e proceseve të prokurimit publik. Ajo theksoi se ky model kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës, forcimin e konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe përdorimin më eficient të fondeve publike, duke standardizuar procedurat dhe duke rritur profesionalizmin në menaxhimin e tenderave publikë.
Në prezantimin e saj u theksua gjithashtu roli i OBP në konsolidimin e kërkesave të institucioneve publike, unifikimin e specifikimeve teknike dhe optimizimin e proceseve të prokurimit, çka ka kontribuar në kursime të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe në rritjen e cilësisë së procedurave të zhvilluara. Në të njëjtën kohë, u nënvizua rëndësia e përdorimit të platformave digjitale dhe mekanizmave të informimit për operatorët ekonomikë, të cilat rrisin aksesin e biznesit në tenderat publikë dhe forcojnë besimin në sistemin e prokurimit.
Tryeza shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira ndërmjet institucioneve të prokurimit publik, duke trajtuar tema kyçe si profesionalizimi i administratës së prokurimit, parandalimi i praktikave anti-konkurruese në tendera, si dhe roli i bashkëpunimit institucional në përmirësimin e sistemeve të prokurimit publik.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara mbetet i përkushtuar për të vijuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet kombëtare, me synim forcimin e transparencës, rritjen e konkurrencës në tregun e prokurimit publik dhe përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve të menaxhimit të fondeve publike.



